Jemi shumë të lumtur që këtë javë, me shumë sukses u mbyll edicioni i katërt i festivalit “Mitrovica Guitar Days”.
Festivali u hap me koncertin e yllit botëror Z. Aniello Desiderio, i cili na mrekulloi me muzikën e tij.
Në publikun me numër shumë të madh, na nderuan me prezencën e tyre Z. Hajrulla Çeku, Ministër për kulturë, rini dhe sport, Znj. Valdete Idrizi, drejtoreshë për kulturë, rini dhe sport në Mitrovicë, Znj. Allison Grunder, zëvendës shefe e misionit të Ambasadës së SHBA në Kosovë.
Në çdo ditë të festivalit, nxënës të moshave të ndryshme kishin mundësinë të ndjeknin masterklaset me të gjithë profesorët e ftuar si: Aniello Desiderio, Hubert Käppel, Darko Bageski, Drilon Çoçaj, Florin Fanaj dhe Erhan Mujka.
Vazhduam me koncertin e nxënësve të dalluar në Kosovë si: Diar Aliu, Lis Mustafa, Ajas Vitaku dhe Tomor Jahjaga.
Më pas, me prezentimin e punës së shkëlqyeshme të lutierit të njohur kosovar, Z. Arben Begaj, kitarat e të cilit pëlqehen dhe kanë filluar të luhen nga kitaristë të famshëm të kohës.
Në koncertin e rradhës, publiku jonë kishte kënaqësinë të degjonte muzikën e bukur të kitaristit maqedon, Z. Darko Bageski.
Përmbyllja e festivalit u realizua me koncertin e të gjithë nxënësve pjesmarrës të cilët në një ceremoni të bukur u paisën me certifikata.
Ky festival nuk do të ishte i mundshëm pa ndihmën e sponzorëve dhe partnerëve tanë.
Falënderojmë përzemërsisht:
Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport – Mitrovicë, Aurora group, Shkolla e muzikës “Tefta Tashko”, Muzeu i qytetit të Mitrovicës, Koha Restaurant, Ura restaurant, Fingerprint, Bonevet, Down Syndrome Mitrovicë, 7arte, Misbah and Friends, Mitrovica Rock School dhe sponzorët medial: KTV, Tv Klan dhe Tëvë1.
Shihemi prap në edicionin e pestë.